Loading...

Macron vuri në pikëpyetje gjithë metodologjinë e negociatave

Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur pyetjes gjatë Konferencës për shtyp në lidhje me një mocion besimi në parlament pas mosarritjes së dakordësisë për çeljen e negociatave në Këshillin Europian, u shpreh se verdikti final ishte i Francës, për shkak të përplasjeve me Gjermaninë mbi metodologjinë e funksionimit të BE.

“Mund t’ia kërkoj parlamentit francez, popullit shqiptar s’kam pse ia kërkoj”, – u shpreh Kryeministri. “Maqedonia ka 14 vjet që pret çeljen e negociatave. Ka 14 vjet nga Këshilli në Këshill merr sinjale pozitive dhe s’merr PO. E detyruan të ndërrojë emrin, duke premtuar që, “u bë kjo, u zgjidh”. Ja ku jemi! Kishte plot që thonin “do ndahet Shqipëria nga Maqedonia e Veriut”. Por kishte dhe zëra dhe zëra brenda familjes europiane që thonin se asnjëherë nuk ka qenë opsion. E kemi rrezikuar në maj-qershor, për shkak të katrahurave këtu. Nuk ka lidhje vendimmarrja me çfarë ka bërë njëri apo tjetri. U gjendën në një moment të historisë së BE, ku ndodh një përplasje mes Francës e Gjermanisë jo thjesht për zgjerimin, por edhe për elementë të tjerë të funksionimit të BE”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Duke iu referuar deklaratës së homologut holandez, Kryeministri tha se asnjë prej arsyeve nuk qëndron, pasi e vërteta e kësaj vendimmarrje ishte diku tjetër.

“Dëgjova kryeministrin e Holandës. Tha se Shqipëria ka bërë progres të madh, por jo mjaftueshëm. Mjaftueshëm në raport me çfarë? Se nëse e konsiderojmë progresin si një progres lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE është e pamjaftueshme, por nëse krahasojmë çfarë na është kërkuar dhe çfarë kemi bërë është shumë më tepër, jo se jemi më të zotë, por sepse procesi ka ardhur duke u bërë më i vështirë e kërkues. Shtimi i bishtave nuk është korrekt. Cilido nga vendet që ka hyrë në BE pas rënies së komunizmit të ishte në vendin tonë nuk e merrte PO-në, sepse tema ishte gjetkë, “çfarë do bëjmë me BE?””, deklaroi Rama, duke shtuar në anën tjetër, se, “Presidenti i Francës ishte brutalisht i hapur në atë që tha. Vuri në pikëpyetje gjithë metodologjinë e negociatave, gjithë procesin, duke kërkuar ndryshimin e procesit, sipas tij për ta bërë më efektiv për BE. E quajti proces ultraburokratik dhe kërkon ndryshim metodologjie. Është në të drejtën e tij. Po ku hyjmë ne tani këtu në këtë mes?!” /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com