Loading...

Lufta ndaj pasurive të paligjshme/ “Goldfinger” sekuestron 3 milion euro asete

Policia e Shtetit, njofton se vijon operacioni “Goldfinger“, për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e personave të arrestuar gjatë këtij operacioni.

Në kuadër të këtij operacioni, janë sekuestruar 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal i 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.

“Në vazhdim të operacionit “Goldfinger“, i zhvilluar më datë 26.06.2019, gjatë të cilit u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Hollandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, Drejtoria Hetimore Qëndrore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre”-, njofton Policia e Shtetit.

“Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve J. K., D. E., A.D. dhe E.P., të arrestuar në Danimarkë më datë 26.06.2019, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, Drejtoria Hetimore Qëndrore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, evidentoi një sërë pronash të tjera të këtyre personave dhe i kërkoi Gjykatës sekuestron përfundimtare në bazë të ligjitit antimafia”-, vijon njoftimi.

“Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë: Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro; 10 apartemente banimi, në plazhin e Velipojës; 1 apartament banimi në Shkodër; 14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit; Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro”-, bëhet me dije nga Policia e Shtetit.

“Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre. Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave”-, vijon njoftimi.

“Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo personave me të cilët kanë lidhje miqësore dhe shoqërore. Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminale i këtyre personave”-, bën të ditur Policia e Shtetit. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com