Loading...

Lleshaj: PD i rikthehet vesit me bllokim rrugësh, por me risi duke u fshehur pas grave e fëmijëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës që zhvilluan sot pasdite banorët e Unazës së Re që iu bashkuan edhe drejtues të opozitës duke bllokuar rrugën.

“Pushimet e verës duket se nuk e ndihmuan Partinë Demokratike për të gjetur udhën e politikës. Sot, më 13 tetor, ajo u rikthye përsëri në vesin e vjetër të bllokimit të rrugëve, por kësaj radhe me një “risi” të mjerë. Drejtues të saj u fshehën pas fëmijëve dhe grave, të cilët u përdorën në mënyrë abuzive, si shprehje tronditëse e mungesës së përgjegjshmërisë dhe e kurajos. Drejtuesit e PD duhet të dinë mirë një gjë: Policia e Shtetit nuk do të përballet kurrë me fëmijët e keqpërdorur politikisht”, deklaron Lleshaj.

Por, në të njëjtën kohë, thekson ministri, nuk do të tolerojë asnjë pengmarrje të qytetit nga një grup parapolitik i dalë dëshpërimisht jashtë rrugës së arsyes dhe të ligjit.

“Me këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij manipulimi që të distancohen nga shkeljet e ligjit, që të mbajnë fëmijët larg politikës së rrugës dhe që të mos lejojnë keqpërdorimin e vetes për interesa politike! E drejta e tyre nuk mund të gjendet kurrë tek bllokimi i arterieve kryesore të kryeqytetit, por vetëm te rruga institucionale. Iluzioni se problemet mund të zgjidhen përmes vetëgjyqësisë, që promovon PD, është i kotë dhe i dëmshëm për të gjithë. E vetmja rrugë e arsyeshme për të zgjidhur problemet është qasja institucionale. Institucionet janë plotësisht të gatshme dhe të përgatitura për të trajtuar në rrugë ligjore problemet e qytetarëve”, deklaron ministri Lleshaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com