Loading...

Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin për sektorin minerar

Kuvendi miratoi të mërkurën me 79 vota pro ndryshimet në ligjin për sektorin minerar.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Andrea Marto, u shpreh se me anë të këtij projektligji propozohet shfuqizimi i licencës “shërbime ekspertize dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare, me kodin IV.4.A”.

“Me shfuqizimin e kësaj licence, ushtrimi i veprimtarisë së shërbimeve të ekspertizës dhe/ose profesionale lidhur me burimet minerare do të jetë i lirë”, tha Marto.

Sipas tij, projektligji do të sjellë reduktim të barrierave administrative, liberalizim të tregut dhe përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Më tej, Kuvendi miratoi me 80 vota pro, 20 kundër dhe 5 abstenim edhe ndryshimet në ligjin “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar.

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi u shpreh se që prej vitit 2015 i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë një reformë e thellë në fushën e birësimeve dhe kujdestarisë pasi siç theksoi ajo “Kodi i Familjes është tanimë i vjetëruar, edhe pse Shqipëria ka miratuar konventa ndërkombëtare dhe ka miratuar një ligj të ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

Projektligji tjetër i parashikuar në rendin e ditës, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar”, u shty për shqyrtim në seancat e tjera plenare./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com