Zv.kryeministri Erion Braçe, ka reaguar pas bllokimit që Franca i bëri hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Braçe ka falenderuar të gjithë liderët e Bashkimit Europian të cilët mbështetën Shqipërinë në rrugëtimin për integrimin europian dhe për deklaratat e tyre që bënë sot në samit.
“Faleminderit shumë për gjithçka, gjithçka, gjithçka, zonja Merkel, kancelare e Gjermanisë. Faleminderit shumë që njeh historinë tonë te dhimbshme prej 1400-tës, aspiratën tonë europiane, te përjetshme, ja dëshmon kujtdo që s’na njeh, zoti Conte, kryeministër i Italisë. Faleminderit shumë për ndihmën, mbështetjen, kursin e reformave, vlerësimin dhe gjykimin e drejtë e të ndershëm, zoti Tusk, president i Komisionit Europian! Faleminderit shumë për vizionin e qartë politik për Europën e sotme e të nesërme, ndarë me ne e për ne, zoti Sassoli, president i Parlamentit Europian. Ju jemi mirënjohës pa fund! Ju na njihni, vlerësoni e gjykoni”‘, shprehet Braçe.
Nga ana tjetër Braçe i është përgjigjur edhe presidentit francez Emmanuel Macron i cili vendosi veton si e vetmi vend që të mos lejonte hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Braçe thekson se argumenti i Macron ishte se ka shumë shqiptarë azilantë në Francë dhe ky është faktor kundër Shqipërisë, por sipas tij, Macron duhet të na shohë si punëtorë pasi punët më të rënda atje i bëjnë shqiptarët.
Madje sipas Braçes, shqiptarët në Francë janë të keqpaguar e të diskriminuar.
Braçe shprehet se, “kush pretendon se na njeh prej “azilantëve”, gjykon me bezdi qënie humane thjesht si problem për çështje të politikës së brendshme, nuk na njeh hiç; duhet te hedhë sytë nga tregu i tij i punës, me siguri duhet ta dijë se nuk është çështje burokratike vizash, por ofertë në atë treg. I bëjmë ne punët tuaja, madje më të rëndat, madje duke keqpaguar e diskriminuar. Të paktën ti njihni shqiptarët si punëtorë”. /atsh