“Ne duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme, edhe në aspektin e ekonomisë, Shqipëria dhe Kosova të bashkërendohen sa më shumë sepse sinergjia që mund të kemi nuk është shfrytëzuar sa duhet”, deklaroi sot kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, në një prononcim për mediet, ku informoi mbi takimin e djeshëm me kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se “u diskutua për çështjet që i kemi të përbashkëta, por gjithashtu edhe për çështjet mes dy vendeve tona”.
“Shqipëria dhe Kosova jo vetëm që do të kenë mbledhje të përbashkëta qeverie, por do t’i kenë më shpesh dhe do të kenë zbatimin e marrëveshjeve, që është edhe pjesa më e rëndësishme”, tha Kurti.
Ai shprehu besimin se “mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë të gjithë”. “Prandaj ne duam të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më, më të varfërit, më të papunët më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, tha Kurti.
I pyetur mbi Minishengenin Ballkanik, Kurti tha se “pres që të shoh një tekst se çfarë është ekzaktësisht”. “Më shumë më ngjan me një ide se sa me projekt. Pra duhet ta shohim projektin në letër. Tani për tani është në nivelin e idesë”, tha ai.
Lidhur me propozimin për krijimin e një Ministri Shteti në secilën qeveri për marrëdhëniet mes dy vendeve, Kurti tha se “kemi diskutuar për çështjet dhe temat që do të bashkëpunojmë, ndërsa organikogramat e qeverive vijnë më pas, në fillim është substanca dhe më pas edhe forma që duhet të marrë”.
I pyetur mbi marrëdhënien me Kryeministrin Edi Rama, Kurti tha se “ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara”. “Jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam të bashkëpunojnë në mënyrë që dallimet që kemi, ose mospajtimet që kemi, kurrsesi nuk bën që ta rrezikojnë bashkëpunimin tonë. Sepse fundja ne nuk jemi dy persona të veçantë, por jemi dy funksione për të cilët qytetarët tanë presin që të bashkëpunojmë”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për fillimin e bisedimeve me Serbinë, ndërsa theksoi se ato do të udhëhiqen nga ai, si Kryeministër i Kosovës.
“Periudha konkrete për fillimin e bisedimeve nuk mund të përcaktohet tani, pasi ne kemi nevojë për dialog me Brukselin, për dialog me Beogradin, duhet ta përgatisim mirë dialogun. Unë pres që të takohem me pasardhësin e Mogherinit, në mënyrë që të përcaktojmë parimet se si të ecim përpara dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshjen me Serbinë duhet të ndryshojë shumë më tepër Serbia se Kosova”, tha ai.
Kurti u shpreh se “ne angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe dialogun e ardhshëm me Serbinë do ta udhëheq unë si Kryeministër i Kosovës”.
“Së pari kemi dialogun me Brukselin për dialogun me Serbinë. Unë mund të parashikoj se ky dialog do të fillojë para zgjedhjeve në Serbi që janë në pranverën e vitit të ardhshëm, por nuk mund të prisni marrëveshje para zgjedhjeve në Serbi. Ne vendosim substancën, përmbajtjen e marrëveshjes për të cilën duhet të ndryshojë Serbia, që është shumë më prioritare se sa afatet e ndryshme kohore”, tha Kurti.
I pyetur mbi tarifën 100% me Serbinë, Kurti tha se “me qeverinë e re zëvendësohet me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë”. /atsh