Loading...

Kumbaro: Të gjithë bashkë në emër të interesit kombëtar

E ftuar në një studio televizive, deputetja e PS, Mirela Kumbaro foli për integrimin europian të Shqipërisë duke thënë se në këtë rrugë, duhet të jemi të gjithë bashkë në emër të interesit kombëtar.

“Duke patur parasysh datën e rëndësishme që na ofrohet lidhur me integrimin europian, ne na duhet që të jemi të gjithë në tavolinë dhe besoj që askush nuk e ka monopolin të vendosë kush nuk duhet të jetë. Unë besoj dhe këtë e them në emër të mazhorancës, që duhet të jemi të gjithë. Përtej inateve, përtej problemeve të brendshme partiake që mund të ketë, ka një interes që shkon përtej kësaj. Është interesi kombëtar. Këtu, nëse duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit, duhet t’ia japim për hir të interesit kombëtar i cili në fakt na detyron që të heqim dorë nga ajo që në fakt presidenti e ka quajtur teka, qoftë dhe të opozitës”, – tha Kumbaro.

Ndërkohë duke folur për Po-në e Bundestagut gjerman, ajo tha se kushtet e paraqitura janë detyra që janë duke u kryer. “Ato që listoi vendimi i Bundestagut gjerman që u quajtën kushte, nuk janë gjë tjetër përveç se një përputhje pikë për pikë me ato detyra që ne i kemi vënë vetes dhe që jemi në një kalendar duke i zhvilluar”, – u shpreh Kumbaro.

Kumbaro u ndal edhe tek raporti i Komisionit të Venecias për ligjshmërinë e veprimeve të Presidentit Meta. “E rëndësishme për mua, si qytetare, si deputete, – nënvizon Kumbaro, – është fakti që ai mendim paraprak i quajti legjitime zgjedhjet e 30 qershorit. Nëse Komisioni i Venecias e quan tejkalim të kompetencave kushtetuese të presidentit nxjerrjen e dekreteve, do të thotë që mbetet në fuqi dekreti kushtetues, ai me të cilin KQZ zhvilloi dhe organizoi zgjedhjet vendore në 30 qershor”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com