“Kantieret e konvikteve në Korçë, Vlorë dhe Shkodër, do të pasohen nga Kantieri i Madh i Kampusit Universitar të Tiranës, kantieri i Akademisë së Sigurisë dhe ai i Arteve, si edhe nga kantieret më të vogla të dy kampuseve të Korçës e të Vlorës”.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi foto nga kantieret e ndërtimit të konvikteve jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera universitare të vendit.
Në kuadër të Paktit për Universitetin, qeveria ka punuar për një plan ambicioz për modernizimin e gjithë infrastrukturës universitare.
Modeli i rikonstruksionit të konvikteve të zbatuara në Tiranë ka nisur tashmë aplikimin edhe në qytete të tjera, ku ka prani të universiteteve dhe konvikteve.
Investimet synojnë rindërtimin rrënjësor të konvikteve, ndërtimin e kampuseve universitare, si dhe plotësimin e një pjese të madhe të kërkesave të studentëve ka të bëjë me infrastrukturën, me laboratorë, me vendin ku shkojnë për të bërë punët laboratorike dhe detyrat e kursit./atsh