Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka fituar çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Neustadt”, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, i cili njeh meritat e jashtëzakonshme letrare në letërsi në mbarë botën.
Kadare është laureati i 26-të i këtij çmimi që jepet për merita të jashtëzakonshme letrare në letërsinë botërore.
Çmimi “Neustadt” është çmimi i parë letrar ndërkombëtar i llojit të tij që e ka origjinën në SHBA dhe është ndër të paktat çmime ndërkombëtare, për të cilin kanë të drejtë të konkurrojnë njëkohësisht poetë, romancierë, skenaristë dhe dramaturgë.
Çdo autor i gjallë që shkruan nga kudo në botë ka të drejtë për çmimin “Neustadt”. Juria përbëhet nga autorë të vlerësuar ndërkombëtarisht. Fituesve u jepen 50,000 dollarë, një kopje e një pendë shqiponje të derdhur në argjend dhe një certifikatë.
Lajmi u bë i ditur nga ”World Literature Today” Universitetit të Oklahomas, e cila njoftoi mbrëmjen e së mërkurës së shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë.
“Kadare është një romancier, poet, eseist dhe dramaturg shqiptar , i cili ka shkruar disa vepra të mëdha. Ai botoi romanin e tij të parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vitin 1963. Ka fituar shumë çmime ndërkombëtare dhe vlerësohet nga disa si një nga më të mëdhenjtë e shkrimtarëve bashkëkohorë evropianë. Ai është përmendur shpesh si pretendent për çmimin Nobel në Letërsi”, shkruhet në faqen zyrtare të “Neustadt Prize”.
Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.
Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.
Në 13 maj 2016 , Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Në një deklaratë për shtyp, drejtori ekzekutiv i ”World Literature Today”, Robert Con Davis-Undiano, tha se Kadare është “një nga shkrimtarët më të mëdhenj në botë dhe një kampion i demokracisë dhe fjalës së lirë”.
Kandidatët finalist për këtë çmim ishin, Emmanuel Carrere (Francë), Jorie Graham (SHBA Jessica Hagedorn (Filipine / SHBA), Eduardo Halfón (Guatemala), Ismail Kadare (Shqipëri), Sahar Khalifeh (Palestinë), Abdellatif Laabi (Marok), Lee Maracle (Kanada) dhe Hoa Nguyen (Vietnam/SHBA). /atsh