Kryeministri Edi Rama foli sot lidhur me rastin e fëmijës shqiptar në kampin e ISIS, histori që u bë publike mbrëmjen e djeshme në mediet italiane.
Kryeministri u shpreh se ka komunikuar me babain e djalit, të cilit i ka sqaruar se kjo çështje nuk varet nga ne, ndërsa theksoi se “ka një plan me partnerët për t’i larguar gratë dhe fëmijët nga ato kampe”.
“Dua të ndaj sot një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam marrë prej një numri të konsiderueshëm bashkëqytetarësh në Itali, këtu, apo edhe në vende të tjera, mbi një emision të mbrëmshëm të RAI-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjitha përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur, ka lënë të kuptohet se çështja e djalit të mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës tonë në Turqi, apo e Ambasadorit”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kjo është tërësisht e pavërtetë”. “E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensibilitetit të lartë lidhur me personat që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë, në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale ISIS”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “shqetësimi ynë ka qenë i lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe, ku ka një numër grash dhe fëmijësh”.
Rama informoi se “në bashkëpunim me partnerë amerikanë, ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi dhe disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme”.
“Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as nga ambasada, as ambasadori, sepse aksesi dhe gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët. Ne kemi punuar intensivisht, kemi një plan të tërë veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Nuk mund të ndaj më shumë informacione, por dua t’i them të gjithëve se po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vendet e tjera do të kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë dhe fëmijët, që janë viktima të drejtpërdrejta të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të afërmve, që janë të përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhja e tyre”, – tha Rama.
Kryeministri informoi se ka komunikuar me të afërm dhe babain e djalit dhe ia ka sqaruar se kjo është një çështje që nuk varet nga ne, nuk është çështje e strukturave tona diplomatike, sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm.
“Natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër kolegë të shumë kanaleve të njohura botërisht kanë shkuar dhe kanë arritur të filmojnë deri dhe brenda trupave të ISIS, por nuk është e njëjta gjë, përkundrazi është krejt tjetër për të zhvilluar një operacion tërheqjeje të personave që duhen liruar nga ajo situatë”, – tha Rama.
Duke shprehur gjithë keqardhjen, Kryeministri tha se “kjo është e vërteta dhe se së fundmi situata është edhe më e komplikuar”. “Ju e dini shumë mirë se në atë territor ka një situatë përplasjeje luftarake. Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe siç e thashë jemi në koordinim të plotë më partnerët. Ju e patë besoj edhe një thirrje që u bëri Presidenti i SHBA-së vendeve europiane për të tërhequr njerëzit. Asnjë vend deri më sot, përfshi edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik, nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve, sepse është një operacion vërtetë i komplikuar”, – tha Rama.
Sidoqoftë, Kryeministri siguroi se “fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë, të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët si SHBA dhe po ashtu edhe me autoritetet turke, ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi arritur të organizojmë kontakte dhe një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet, si dhe është përgatitur gjithë infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj këtu në Shqipëri”, – tha Rama.
Por, Kryeministri theksoi se ajo është një zonë ku nuk ka autoritete dhe prandaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme dhe transferimi i tyre në kampe me struktura të specializuara është hapi i parë për të bërë, pastaj transferimi përfundimtar.
“Besoj se ky shpjegim është i mjaftueshëm për të nënvizuar faktin se informacioni i dhënë sikur kjo është një çështje vullneti dhe thjesht sikur kërkohet vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk është i vërtetë, nuk qëndron”, – tha Rama. /atsh