Loading...

I mituri shqiptar në kampin në Siri/ Rama: Përpjekje të vazhdueshme

“Për çështjen e 11-vjeçarit që ndodhet në kampet e ISIS në Siri, ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme dhe shpresojmë shumë që të ditët e ardhshme të ketë një moment stabilizimi të situatës dhe të mundohemi të ecim më tej me autoritet turke”, tha sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “prej disa kohësh për këtë çështje kemi çdo javë një takim informues dhe kemi shumë përpjekje dhe kontakte të vazhdueshme”.

Rama tha se është tërësisht i pavërtetë lajmi se kjo varet nga ambasadori ynë në Turqi.

“Nuk mjafton asnjë lloj përfaqësuesi. Kemi një urdhër të klasifikuar sensitiv të bazuar në informacione të mbledhura bashkë me partnerët për numrin e shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një plan evakuiimi dhe informacioni është se ka rreth 70 persona, gra dhe fëmijë dhe një numër i caktuar burrash nga Shqipëria”.

“Nëna e djalit të vogël, person i radikalizuar e ka marrë me vete dhe ka qenë pjesë e forcave dhe ajo. Ne kemi punuar ngushtë me aleatët amerikanë që kishin një plan me vende të ndryshme për të organizuar evakuimin por ata nuk janë më aty”, tha Rama.

Sipas tij, “ky burg nuk është në një zonë të aksesueshme”. “Gazetarët kanë metodat e tyre. Problemi është se nuk ke me kë flet dhe ndërmarrja e një operacioni me forca civile apo ushtarakë të veshur civilë, pasi nuk ka autoritet me kë të flasësh. Kam folur personalisht me koordinatorin amerikan të procesit. Ambasada amerikane është shumë e interesuar por e vetmja mënyrë teorike është të shkohej me forca. Nëse shkojnë si autoritete civile nuk mund të hysh në atë zonë”, tha Rama.

Rama tha se “ky kamp është pak matanë kufirit të zonës së paqes”. “Nuk është në atë 30 km. Në këto kushte nuk ka shanse të zgjidhet gjë, është matanë zonës. Duhet të futesh në një zonë ku nuk dihet çfarë është dhe me kë do merresh. Janë 72 mijë veta në total ku ne kërkojmë 70 veta. Nuk mund të nisesh qorrazi”, tha Rama, duke shtuar se deri tani nuk i ka tërhequr asnjë shtet. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com