Loading...

Hapja e negociatave/Rrugëtimi ynë për ta shndërruar Shqipërinë në vend europian

“Data 18 tetor është e rëndësishme, por në datën 19 tetor dielli do të lindë sërish dhe nëse nuk do të kemi një ‘Po’ të qartë ne do të vazhdojmë para, sepse në fund ky rrugëtim është për ne dhe jo sepse e bëjmë thjesht për Europën”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama doli sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, i cili po kryen një vizitë zyrtare në vendin tonë.

“Dikush që dëshiron të përfundojë një martesë nuk mund të shërbejë si shembull për të shkurajuar dikë tjetër që është i dashuruar dhe që të shkojë drejt martesës. Ne jemi në një histori dashurie me Europë dhe nëse britanikët dëshirojnë divorcin, me gjithë respektin për ta, kjo nuk na shërben si një shembull për të hequr dorë”, tha Rama.

Ai tha se “për ne Europa është një marrëdhënie e fortë që ka një prejardhje të hershme që është pjesë e historisë sonë e ëndrrës sonë”.

“Ka shumë prej atyre që thonë se si ka mundësi që shqiptarët janë kaq të tërhequr drejt Europës. Kjo sepse për ne Europa është një hapësirë paqeje dhe sigurie dhe ne vijmë nga një kohë kur gjendeshin si Koreja e Veriut e Europës. Ne kemi njohur luftën me sytë tanë. Pothuaj gjysmë milioni shqiptarë braktisën shtëpitë e tyre në Kosovë. Për gjithë Ballkanin Perëndimor historia nuk është thjesht një film bardh e zi si për anglezët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është rrugëtimi i vetëm jo për Europën, por për ta shndërruar Shqipërinë në një vend europian, shtet të së drejtës, demokraci europiane”.

“Falënderoj kryeministrin Conte, Italinë dhe të gjitha ato vende që në këto momente na japin arsye të plotë, sepse ne nuk po kërkojmë një dhuratë, nuk po kërkojmë as lëmoshë, por jemi thjesht duke kërkuar atë që na përket. Ne kemi bërë atë që na është kërkuar të bëjmë për të çelur negociatat dhe më tej do të tregojmë se do të jemi të gatshëm për t’u shndërruar në anëtarë dhe për t’u kontrolluar në çdo hap që do hedhim. Në këtë përsëritje të kësaj historie: ‘bëni, këtë dhe atë dhe shihemi vitin e ardhshëm dhe pastaj ‘po e keni bërë por duhet bërë edhe kjo tjetra…Do të ketë gjithmonë një ‘kjo e ajo’ që mund të parashtrohet përpara krijimit të një alibie, por gjithsesi është e qartë se në këto momente shumë prej vendeve anëtare të BE-së, nëse do të ishin në vendin tonë nuk do të ishin sjellë më mirë”, tha Rama./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com