Kryetarja e e grupit parlamentar të opozitës, Rudina Hajdari, deklaroi sot se zgjedhjet në Kosovë, treguan se sistemi zgjedhor është i orientuar nga qytetarët, sistem i cili duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.
“Urime Kosovës për zgjedhjet e lira dhe që të gjitha palët politike pranuan rezultatet me qetësi. Kosova tregoi që është një shtet me një demokraci që po rritet dita-ditës dhe duhet të jetë frymëzim edhe për vendin tonë”, – tha ajo.
Hajdari thekson se sistemi zgjedhor i Kosovës duhet të jetë frymëzim për vendin tonë.
“Sistemi zgjedhor i Kosovës është një sistem i orientuar drejt qytetarëve, duke i dhënë mundësi atyre që mbjellin shpresë tek njerëzit të votohen dhe të qeverisin vendin. Ky sistem zgjedhor duhet të jetë frymëzim për vendin tonë për të çrrënjosur ata që kanë mbytur shpresën në Shqipëri. Politikanët tanë i druhen një sistemi të tillë pikërisht, sepse rrezikohet elita e vjetër politike e këtij vendi, të cilët duan të mbajnë pushtetin e tyre me çdo kusht, duke mos u interesuar interesi publik”, – tha ajo.
Po ashtu, Hajdari tha se politikanët shqiptarë që urojnë Kosovën sot, refuzojnë sistemin e ri zgjedhor.
“Është ironik fakti që janë pikërisht këta që urojnë Kosovën sot, që me “mbipushtetin” që kanë, mbajnë vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë mbrapa. Ndërkohë nga ana tjetër refuzojnë të konsiderojnë një sistem të ri më demokratik dhe më përfaqësues, vetëm e vetëm për të mbajtur karriget e tyre, duke e lënë vendin në një krizë politike dhe institucionale”, – thekson ajo.
Në fund Hajdari shprehu urimet për zgjebet në Kosovë për frymën e re që u përcoll në zgjedhje.
“Urime Kosovë për frymën e re që përçove dhe shembullin e një demokracie që kur ekziston vullneti politik, mund të forcohet dhe të jetë funksionale”, – u shpreh ajo./atsh