“Rudina Hajdari ka dhënë dorëheqjen nga kryesimi i grupit Parlamentarë të opozitës dhe me procedurë të rregullt jam zgjedhur kryetar i grupit të opozitës parlamentare”, tha sot në një konferencë për shtyp nga kryesia e Kuvendit, deputeti Korab Lita.
Deputeti i opozitës, Korab Lita tha se zonja Hajdari në mënyrë verbale kërkoi dorëheqjen e saj nga kryesimi i grupit parlamentar të opozitës.
Ai sqaroi se deputeti Valteri pasi humbi garën për të qenë kryetar i grupit, deklaroi se nuk është kundër procedurës.
“Pas dorëheqjes së Rudina Hajdarit, grupi kaloi në procesin e zgjedhjes së kryetarit. U propozuan tre kandidatura Alban Zeneli, Halit Valteri dhe Korab Lita. Zeneli u tërhoq nga gara dhe gara vazhdoi me dy kandidatë. Edhe Valteri kërkoi kohë për të lobuar me kolegët dhe në unanimitet grupi vendosi t’i jepet kohë Valterit deri të nesërmen e 11 tetorit. Pasi, Valteri nuk gjeti mbështetje për këtë detyrë, deklaroi se tërhiqet. Për këtë u votua në mënyrë të hapur dhe u hartua procesverbali i mbledhjes dhe u vendos nga të gjithë të pranishmit”, sqaroi ai.
Më tej Lita tha se i kemi dërguar shkresë kryetari të Kuvendit për të bërë ndryshimet e duhura në bazë të procedurës.
“Pas këtij momenti në mbështetje të rregullores së Kuvendit neni 16, pika dy është bërë procedura për njoftimin e kryetarit të Kuvendit për ndryshimet e bëra. Shkresa është firmosur nga shtatë anëtarët e grupit, përfshirë dhe zotin Valteri”, tha Lita.
Një ditë më parë, deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari deklaroi se është në krye të grupit të opozitës. /atsh