Një tjetër grevë 24-orëshe paralizoi sot Greqinë, si rezultat i apelit të bërë nga sindikatat e sektorit privat dhe transportit publik, për të kundërshtuar një projektligj të propozuar nga qeveria për forcimin e rritjes ekonomike dhe që sipas tyre synon të çrregullojë tregun e punës.
Konfederata e punonjësve të sektorit privat (Gsee), më e rëndësishmja në vend, bëri thirrje për organizimin e mitingjeve në qendrat e qyteteve, për të denoncuar shfuqizimin e marrëveshjeve kolektive dhe kontrollin mbi sindikatat.
Kjo është greva e dytë, brenda një jave, kundër qeverisë së të djathtës së Kyriakos Mitsotakis-it.
Qeveria e re premtoi një epokë të re për investimet në Greqi dhe një rritje me mbi 2 % gjatë viteve të ardhshme, por pas përfundimit të huasë ndërkombëtare në gusht 2018, ekonomia greke vazhdon të mbetet e brishtë, pavarësisht rimëkëmbjes./ atsh