Rreth 2100 turistë vendas e të huaj vizituan ditën e djeshme qytetin e Krujës, 32 km larg nga kryeqyteti, Tirana.
Shumica e vizitorëve ishin nga Kosova dhe Kina, por nuk munguan edhe turistë nga vende të ndryshme si Italia , Polonia, Zvicra, etj.
Përgjegjësi i Zyrës së Turizmit në bashkinë Krujë, Drini Masha, tha sot për ATSH-në se “gjatë muajve shtator-tetor në qytetin e Krujës, pas përfundimit të sezonit të verës ka pasur një dyndje të turistëve në qytetin e Krujës”.
“Turistët kanë shfaqur shumë interes për kulturën dhe historinë e popullit tonë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik Krujë”-, thekson Masha.
Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.
Në gjashtë mujorin e parë të 2019 muzetë e Krujës janë vizituar nga 43 mijë vizitorë.
Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë./atsh