Çdo vit në 29 tetor organizohet Dita Botërore e Insulteve. Kjo ditë shihet si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të organizuar fushata sensibilizuese, me qëllim uljen e barrës së insulteve në nivel global, rajonal dhe lokal.
Instituti i Shëndetit Publik në kuadër të kësaj dite jep informacione për insultin dhe disa këshilla si të ulim rrezikun ndaj tij. Insulti mund t’i ndodhë gjithëkujt në çdo kohë dhe kudo. Sot insulti është shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në të gjithë botën, si dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve, por pothuajse të gjitha goditjet mund të parandalohen.
Si ta ulni rrezikun e insultit ?
A e dini se 90% e rasteve të insultit janë të lidhura me 10 rreziqe të shmangshme ? Nëse keni diabet, probleme të zemrës, ose histori familjare, bisedoni me mjekun tuaj rreth rrezikut të insultit dhe trajtimeve parandaluese.
Instituti i Shëndetit Publik rendit disa hapa që mund të ndjekë secili, për të zvogëluar mundësitë dhe rrezikun e insultit.
1. Kontrolloni presionin e lartë të gjakut.
2. Bëhuni fizikisht aktivë dhe ushtrohuni rregullisht.
3. Mbani një dietë të shëndetshme të pasur me fruta, perime dhe me pak kripё , në mënyrë që të keni një shëndet sa mё tё mirё, gjithashtu dhe për tё mbajtur në normë presionin e gjakut.
4. Ulni kolesterolin.
5. Mbani peshën në normë.
6. Ndaloni pirjen e duhanit dhe shmangni ekspozimin ndaj tymit të duhanit.
7. Sa më pak alkool tё konsumoni, aq më mirë ёshtё pёr shёndetin tuaj.
8. Mësoni të dalloni shenjat e goditjes në tru.
9. Zvogëloni rrezikun nga diabeti, bisedoni me mjekun tuaj.
10. Njihuni me faktorët e rrezikut si: presioni i lartë i gjakut, diabeti, kolesteroli i lartë në gjak. /atsh