Në Ministrinë e Brendshme është organizuar sot ceremonia e diplomimit dhe certifikimit të studentëve që përfunduan studimet Bachellor në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, studentëve të ekselencës që përfunduan kursin profesional për policimin, si dhe të kursantëve që përfunduan kolegjin profesional të lartë, Kolegji i Policisë. “Sot diplomohen 208 kursantë si oficerë të patrullës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, 194 nënkomisarë si menaxherë të Policisë,” u shpreh ndër të tjera drejtori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil Mema.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se në 4 vitet e fundit janë mbi 2500 djem e vajza që janë arsimuar në Akademinë e Policisë dhe janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
“Gjatë viteve të fundit Policia e Shtetit i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, i cili ka konsistuar në ndryshimin e organizmit strukturor, performancës e prezantimit në komunitet por më i rëndësishëm është ndryshmi rrënjësor i strategjisë dhe programeve të arsimit dhe trajnimit të trupës policore. Rritja e nivelit të kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të Policisë punonjës nga specialistë të fushave, të cilat nuk mund të përgatiten në Akademinë e Sigurisë, përmirësim i balancës në barazisë gjinore ku është synuar që punonjëset e gjinisë femërore në policinë e shtetit nga viti në vit të rrisin ndjeshëm përfaqësimin e tyre. Policia e Shtetit është orientuar drejt filozofisë më të përparuar të policimit, asaj të policimit në komunitet, si dhe drejt rritjes së kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të saj studentë që kanë mbaruar me rezultate të larta në disa degë specifike”, – tha ndër të tjera Veliu, duke veçuar faktin se pas një procesi tejet transparent për përzgjedhjen e fituesve nga 589 konkurrentë që kishin përfunduar studimet në degët Ekonomi, Financë, juridik dhe IT, 36 prej tyre kanë përfunduar sot ëndrrën e tyre për të qenë në radhët e Policisë.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nënvizoi rëndësinë që ka ky brez i ri oficerësh të Policisë të cilët kanë ndjekur kursin e Policisë Kriminale dhe atë për Patrullë të Përgjithshme.
“402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm ripërtëritje dhe modernizimi të saj. Krahas atyre që përfunduan kolegjin e Policisë për t’u bërë pjesë e bazës solide të saj, 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese si nënkomisarë policie, ndërkohë që 36 studentë që i kanë përfunduar më parë me rezultate të larta studimet universitare, përfundojnë sot kursin e oficerit të Policisë Kriminale dhe i bashkohen strukturave të specializuara të hetimit. Kjo prurje e konsiderueshme cilësore, e përzgjedhur ndër mijëra kandidatë, shënon një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të një programi të madh të qeverisë shqiptare për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore nivelin profesional të Policisë së Shtetit”, u shpreh ndër të tjera Lleshaj.
Nga ana tjetër, ai shtoi se së shpejti do të hapen programe të reja për 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë.
“Ne do ta thellojmë më tej procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit, duke vijuar me konsekuencë programin e rritjes dhe të përtëritjes së saj. Pas pak ditësh do të hapim programet e reja, për rreth 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë, 60 prej të cilëve do të jenë përsëri nga radhët e studentëve të shkëlqyer, që i kanë përfunduar ndërkohë studimet universitare në degë të përzgjedhura,” u shpreh ministri.
Ndër programet ambicioze në proces ministri përmendi kampusin e ri të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, komisariatet e reja të Policisë, Policinë Shkencore, fuqizimin dhe modernizimin e flotës së automjeteve, pajisjet individuale dhe kolektive të Policisë, modernizimin e Policisë Kriminale, asaj Kufitare etj. /atsh