Onkologia Adelina Mazreku është një shembull frymëzimi për punën e palodhur dhe përkushtimin për disa dekada në spitalin onkologjik.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar mesazhin frymëzues të doktoreshë Mazrekut që i është bashkuar fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të rritur ndërgjegjësimin për luftën kundër kancerit të gjirit.
“Prej shumë e shumë vitesh shpesh jam ndeshur edhe me kancerin e gjirit. Por mos u trembni. Secila nga ne mund të jetë pre e kancerit të gjirit, por jo detyrimisht viktimë e tij. Përvoja botërore, por edhe përvoja ime profesionale shumëvjeçare ka treguar se kur kanceri zbulohet në stade sa më të hershme dhe mjekohet mbi parime onkologjike, ai mund të shërohet”, deklaron Adelina Mazreku.
Ajo shprehet se “shpesh më takon që të takoj ish-paciente të mijat të cilat dikur kanë qenë nëna të përlotura dhe sot janë gjyshe të lumtura”.
“Pra eja që të luftojmë së bashku, kanceri i gjirit mund të mposhtet”, apelon onkologia Adelina Mazreku. /atsh