Loading...

Dhuna ndaj grave e vajzave/ Së shpejti, instrumente shumë të rrepta ligjore për autorët

“Procesi i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presione e dhune në familje, ndaj ne duhet të shkojmë në një nivel më lartë me kuadrin ligjor dhe rregullativ dhe me instrumente që luftojnë dhunën në familje”, tha sot kryeministri Edi Rama.

Rama mori pjesë sot në Forumin Rajonal që u organizua në Tiranë me temë: “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”.

Ai tha se po punohet dhe shumë shpejt do të dalim me një propozim shumë të rreptë për dhunuesit dhe autorët e dhunës në familjes.

Duke u ndalur te reforma në drejtësi, Rama tha se “po jetojmë në një moment shumë jetik për vendin tonë por edhe në një kthesë dramatike sa i takon reformës në drejtësi që është shumë e qartë për të ardhmen, por nuk është një vend ku mund të bëjmë një gjumë të qetë për të tashmen”.

“Kemi nisur procesin e Vetingut, një proces i detajuar, shumë i vështirë dhe që faktikisht po prodhon një situatë pastrimi rrënjësor dhe madhor. Kemi mbi 100 raste që nuk e kanë kaluar Vetingun dhe janë jashtë deri tani dhe po flasim për nivelet më të larta të drejtësisë. Por kemi edhe një sërë prokurorësh dhe gjyqtarësh që janë në vendin e tyre, e dinë që nuk mund ta kalojnë Vetingun dhe po luajnë sikur është vakti i fundit dhe duan t’i kenë të gjitha”, tha Rama.

Kryeministri tha se për shkak të sistemit të kalbur të drejtësisë kemi parë raste të padurueshme kur gratë janë dhunuar dy herë, pasi janë dhunuar brenda mureve të shtëpisë janë dhunuar për së dyti për shkak të sistemit të drejtësisë që ka mbajtur anën e burrit.

“Dhuna ndaj grave është një kri i rëndë, nuk është një krim nga ata të zakonshmit. Tani që flasim jam i sigurt se është një grua diku që po vuan dhe nuk ka shansin dhe mundësinë që të kërkojë ndihmë. Për rreth 1 muaj apo 1 muaj e gjysmë ne do të dalim me një propozim, mund të jetë kontrovers, por më mirë të kemi propozime se sa të rrimë në vendnumëro dhe të jemi të kënaqur që kemi konferenca e flasim. Ligji është thjesht një përmbledhje e gjitha frikërave tona. Ne duhet të kemi një ligj që duhet të përmbledhë të gjithë frikërat e burrave që të jenë gratë e sigurta”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com