Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, pas vendimit negativ për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, tha se ky vendim vjen nga vizionet e ndryshme të shteteve anëtare për të ardhmen e BE.
“Ky vendim nuk vjen nga dështimi i Shqipërisë për të qëndruar në lartësinë e nevojshme të standardeve për çeljen e bisedimeve për anëtarësim, por shfaqet në rrethana ku BE është në një proces të shqyrtimit të vetvetes”, – tha Cakaj.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u trajtuan në mënyrë identike”, – shtoi Cakaj, – “sepse të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për çeljen e negociatave dhe e dyta sepse shtyrja e këtij vendimi nuk ka të bëjë më performance, por me faktorë të tjerë që karakterizojnë BE-në”.
Duke folur për reformat shtetformuese në vend, Cakaj tha se, “Shqipëria është duke bërë një reformë në drejtësi të pakrahasueshme në rajon e më gjerë. Përsëri, ky vendim u shty sepse ky vendim nuk lidhet me meritat e vendeve aspirante”.
Duke bërë një rezyme të situatës, ministri tha se, “Këshilli Europian, në maj të këtij viti ka dhënë përgjigjen e tij të qartë pas një shqyrtimi të hollësishëm. KE ka konfirmuar se Shqipëria ka bërë gjithë çfarë është e nevojshme për të merituar çeljen e negociatave. Në qershor të 2019, për shkak të problemeve të brendshme dhe asesi për shkak të gjykimeve negative për Shqipërinë, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme vendosi dhe një herë shtyrjen në tetor. Ja ku jemi në tetor dhe nuk kemi marrë pëgërjen e merituar. Kjo është shtyrja e tretë për një vendim që është i thjeshtë. Nëse e ardhmja e BE është në pikëpyetje, Shqipëria nuk mund të ofrojë përgjigje”.
Pavarësisht shtyrjes së tretë, Cakaj thotë se puna në Shqipëri do të vazhdojë dhe integrimi europian i Shqipërisë është një proces i pakthyeshëm.
“Procesi i zgjerimit do të vazhdojë në mënyrë paralele me reformimin e brendshëm të BE. Shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave nuk do të thotë që në Shqipëri duhet të ketë vonesa për të realizuar të gjitha reformat që kanë nisur. Shqipëria do të vazhdojë punën përmbajtësore në 5 prioritetet kyçe dhe po ashtu në adresimin e të gjitha çështjeve që janë paraqitur në qëndrimet zyrtare të Bundestagut. Jo thjesht se kjo është e nevojshme për rrugën europaine të Shqipërisë por seeps janë të nevojshme për ta bërë Shqipërinë europiane”, – u shpreh Cakaj në konferencë.
“Vendet anëtare mund të mos kenë forcën e mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin e Francës ama të gjithë konsiderojnë se Shqipëria ofron një model shembullor të reformave në rajon. Edhe një herë nënvizoj se Shqipërisë i takon ajo që është qëllimi themelor i këtij procesi, ndërtimi i Europës dhe jetësimi i idealeve të saj në Shqipëri”, – deklaroi Cakaj./atsh