“Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik”, tha sot ish-bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ndërsa thekson se zgjidhja qëndron te plani me pesë pika i opozitës.
Në një deklaratë për mediet, Bylykbashi tha se “Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokratike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin, që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurrojnë të lirë e pa presion”.
Po ashtu Bylykbashi tha se Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t’u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.
“Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozuar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qëndron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme”, – thekson ai./atsh