Loading...

Bllokojnë rrugën në zonën e Unazës së Re, në pranga tre persona

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 nga protestuesit në zonën e Unazës së Re të cilët janë bërë shkak për bllokimin e qarkullimit rrugor në këtë zonë.

Konkretisht shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, kanë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: E. F., 27 vjeç; R. D., 54 vjeç dhe T. Gj., 56 vjeç, që të tre banues në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re.

Sipas njoftimit të policisë, këta shtetas në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re, kanë organizuar e zhvilluar një tubim të paligjshëm dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor në të dyja drejtimet e rrugës..

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, pjesëmarrës në bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re.

Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor, duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit.

Dy ditë më parë u arrestuan dhe tre persona të tjerë për bllokimin e rrugës në zonën e Unazës së Re. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com