Artizanët vlonjatë morën pjesë në ekspozitën e mjeshtërive në Expo Parkun e madh të Chengdusë, në Kinë, të çelur në kuadër të Festivalit të 7-të Ndërkombëtar të Trashëgimisë Kulturore jo-materiale, nga 17-22 tetor.
Ky festival u organizua nga qeveria popullore e Provincës së Sshuanit, UNESCO dhe komisioni kombëtar i Kinës për UNESCO.
Sejmen Gjokoli, kryetar i Qendrës Kulturore ” Aulona” dhe shoqatës së artizanëve “ArtCraft”, tha për ATSH-në se “mes portreteve të ekspozuara të artizanëve nga 53 vende të botës, dhjetë prej tyre u përkisnin pikërisht artizanëve vlonjatë. Një krenari e shumëfishtë kur pikërisht në një nga eksponantet e panairit do të shikoja portretet e Agim Hysenit, Selman Pazoj, Axhem Binaj, Axhi Dapaj, Dushan Mëzuraj, Avenir Troqe, Kujtim Lapa, Qamil Sulioti, Vladimir Kamberit e Musa Feruni”.
“Por edhe më emocionues fakti që njeri prej tyre dhe pikërisht Avenir Troqe, jo vetëm me punimet, por edhe me pjesëmarrjen e tij, pati rastin të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e kësaj ekspozite të jashtëzakonshme mjeshtërish dhe arti popullor duke përfaqësuar me shumë dinjitet duarartët vlonjatë e shqiptarë”, – tha Gjokoli.
Në axhendën e ditëve të festivalit, shtoi Gjokoli, patëm rastin të vizitojmë vende, objekte e institucione të ndryshme të fushës kulturore e të trashëgimisë, të gjitha me rrezatim të drejtpërdrejtë pune e mençurie.
“Mbresëlënës vizita në fshatin Chongzhou Zhuyi në rrethinat e Chengdu ku nxënësit e shkollës plot pasion e dashuri ushtroheshin dhe demonstronin punimet e realizuara prej tyre në mënyrë artizanale, si trashëgimi e prindërve të tyre”,- tha Gjokoli.
Gjokoli shprehet se se “pjesë e vizitës ishte edhe Parku i madh Kombëtar prej 100 ha, ku Panda e famshme e Chengdusë bënte që kjo sipërfaqe e një pylli të jashtëzakonshëm natyror, të vizitohej nga rreth 60 mijë vizitorë në ditë, duke e kthyer kështu në një industri gjigande turistike”./atsh