Shqipëri-Francë do të jetë ndeshja e parë zyrtare dhe inauguruese në stadiumin më të ri në vendin tonë, në “Arenën Kombëtare” të kryeqytetit. Ndërkohë që kanë mbetur edhe dy ndeshjet e fundit për eliminatoret e kampionatit Europian, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që ndeshjen mes Shqipërisë dhe Andorrës, 3 ditë përpara ndeshjes me Francën, ta zhvillojnë në “Elbasan Arena”.
Përfaqësues të UEFA-s që do të monitorojnë dhe kontrollojnë çdo sistem të këtij impianti të ri do të jenë të pranishëm në Tiranë për ndeshjen testuese të kampionatit të femrave mes Vllaznisë dhe Apolonisë. Gjithashtu bëhet me dije se biletat e ndeshjes inauguruese të stadiumit për ndeshjen me Francën do të jenë me një çmim mesatar prej 2200 lekësh.
Çmimi më i lirë që do të dalë në shitje për këtë ndeshje do të jetë 1500 lekë dhe më i shtrenjti 5000 lekë. Ndërkohë që nuk do të dalë në shitje fare tribuna kryesore e “Arenës Kombëtare” për ndeshjen me Francën, pasi pjesa më e madhe pritet të jenë ftesa./atsh