Muajt korrik dhe gusht kanë shënuar një numër të pazakontë zjarresh, 324 vatra zjarri ka pasur në mbarë territorin e vendit, ku si pasojë janë djegur 1900 ha pyje, toka bujqësore, dhe kullota.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha sot se nga këto zjarre, 99% të rasteve kanë ardhur jo nga temperaturat e larta, por nga zjarrvënia e qëllimshme.
Xhaçka shprehu vendosmërinë se “ne do të vazhdojmë të jemi në krye të detyrës për të mbrojtur pronën publike e private, e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”. “Ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorëve të këtyre akteve që rrezikojnë të mirën tonë të përbashkët”, tha ajo.
Ministrja gjithashtu vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe ndihmën e qytetarëve të shumtë që u bashkuan si vullnetarë. /atsh