“Zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste nuk po i ngjajnë zgjedhjeve të viteve të shkuara, por një procesi hapje shumë reale të PS në të gjitha nivelet”, deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Balla tha se “zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste po zhvillohen në formën e një debati konstruktiv në çdo organizatë”.
Ai tha se debati po zhvillohet me simpatizantët dhe me çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në bashkëbisedim, pavarësisht bindjeve të veta dhe përkatësisë së vet, debat në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo njësi administrative dhe bashki.
“Zgjedhjet tona të brendshme nuk po i ngjajnë zgjedhjeve të viteve të shkuara, por një procesi hapje shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë, të gatshëm të japin kontributin e tyre për Shqipërinë”, tha Balla./atsh