Loading...

Vlorë, rreth 46 mijë udhëtarë me tragete në janar-gusht të këtij viti

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, në periudhën janar-gusht të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “që prej 1 janarit deri në 31 gusht në portin e Vlorës kanë ardhur 45.600 udhëtarë me tragetet e linjës Vlorë-Brindizi-Vlorë”.

Ndërsa 46 mijë udhëtarë janë janë nisur nga Vlora drejt Italisë.

Sipas tij, numri i pasagjerëve që preferojnë portin e Vlorës ka ardhur gjithnjë në rritje, sidomos pas vënies në punë të terminalit të ri.

Drejtori Malaj shprehet se “aktualisht edhe pse jemi në stinën e vjeshtës fluksi i udhëtarëve në portin e Vlorës vijon të jetë i lartë. Krahasuar me një vit më parë janë regjistruar 4500 pasagjerë më shumë”.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për ti shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Qyteti i Vlorës gjithnjë e më shumë gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Vetëm në muajt maj deri në gusht Sazanin dhe Karaburunin e kanë vizituar 37 mijë turistë vendas e të huaj./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com