Sazani dhe Karaburuni ishte destinacioni i 37 mijë turistëve vendas e të huaj nga muaji maj deri në fund të gushtit, të cilët kanë kanë udhëtuar nga porti i Vlorës me anijet turistike.
Porti i Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje të fluksit të turistëve si nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe të turistëve të huaj, të cilët kanë udhëtuar me 13 anije turistike drejt ishullit të Sazanit dhe Karaburunit”.
Sipas portit, turistët e huaj vinin nga vende të ndryshme të botës si Holanda, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja, Polonia, Italia, Amerika, Hungaria, etj.
Edhe gjatë ditës së sotme pavarësisht motit jo të qëndrueshëm turistët kanë frekuentuar anijet turistike me destinacion Karaburun Sazan.
Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.
I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh