Loading...

Viti i ri shkollor, nis mësimi në të gjitha bashkitë e vendit

Në të gjitha bashkitë e vendit ka nisur sot viti i ri shkollor 2019-2020.

Rreth 380 mijë nxënës në total në arsimin parauniversitar kanë nisur sot vitin e ri shkollor, ndërsa për herë të parë në banka janë ulur rreth 24 mijë nxënës.

Qeevria shqiptare në shumë shkolla të vendit ka ndërhyrë për rikonstruksionin e tyre, në menyrë që ti ofrojë nxënësve kushte sa me dinjitoze.

Mat, institucionet arsimore hapin dyert për vitin e ri shkollor

Bashkia Mat ka hapur dyert e kopshteve, çerdheve dhe shkollave në të gjitha njësitë administrative për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, deklaroi sot se të gjitha institucionet arsimore në bashkinë Mat janë gati për nisjen e vitit të ti shkollor.

“Shkollat, kopshtet dhe çerdhet janë gati për të pritur nxënësit dhe fëmijët. Një pjesë e mirë e kushteve në shkolla janë përmirësuar, por ne jemi të vetëdijshëm që akoma kemi shumë për të bërë”, shprehet ai.

Po ashtu Malaj shton se “Dita e parë e shkollës për mua ka qenë gjithmonë plot emocion. Në fakt, ska si të jetë ndryshe kur në familje ke dy mësues. Por, nëse vitet e shkuara ky ka qenë një emocion personal, sivjet mbi të gjitha, ndjej përgjegjësinë e madhe për të siguruar për çdo fëmijë mundësi dhe kushte të mira për të marrë dije. Suksese në rrugën drejt dijes!”.

Tropojë, kushte më të mira mësimi për nxënësit

Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Biberaj, uroi sot të gjithë nxënësit për fillimin e vitit te ri shkollor.

“Pushteti vendor në Tropojë do të jetë si asnjëherë pranë jush në plotësimin e kushteve sa më të mira për një vijim normal të shkollimit. Tropoja përveç tjerash ka pasur një traditë shkollimi e dije si asnjë trevë tjetër ndaj duhet ta zhvillojmë më tutje me përkushtim dhe investim”, – nënvizoi Biberaj.

Sipas tij, investimi për dijen është më afatgjati dhe më i sigurti për të ardhmen tonë.

“Tropoja e do dijen dhe përparimin ndaj të gjithë së bashku do ta kemi interes parësor shkollimin dhe përparimin e femijëve tanë”, tha Biberaj.

Berat- Kryebashkiaku Demo uron nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor

Në qytetin e Beratit ka nisur sot viti i ri shkollor 2018-2019. Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo duke uruar suksese mësuesve dhe nxënësve tha se “uroj të arrini rezultate sa më të larta e të angazhoheni maksimalisht për të dhënë më të mirën tuaj në procesin mësimor. Ky është investimi i duhur që bëni për jetën dhe të ardhmen tuaj. Kjo është mënyra e vetme për të shpërblyer sakrificat e panumërta të prindërve tuaj, dhe t’i bëni ata krenarë për ju”.

“Të dashur mësues keni një mision të vështirë, por mjaft fisnik. Ndaj, ju uroj punë të mbarë e ju shpreh mirënjohjen dhe konsideratën e madhe për gjithë përkushtimin dhe punën e palodhur në formimin e brezave të rinj, që janë e tashmja dhe e ardhmja jonë”, tha Demo.

Gjirokastër/ Prefekti Aliaj, investimi në dije dhe arsim, investim për të ardhmen

Në shkollat e qarkut Gjirokastër dhe në mbarë vendin filloi ditën e sotme viti i ri arsimor 2019-2020.

Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, uroi tё gjithё nxёnёsit, mёsuesit dhe prindёrit një fillim të mbarë, të suksesshëm dhe sa më të frytshëm.

“I urojmë mësimdhënësve fillimin e vitit të ri shkollor, me dëshirën që dituria e tyre dhe e librit të gjejnë strehim në mendjen e nxënësve dhe puna e tyre e shenjtë të realizohet si duhet. Urojmë edhe prindërit për një vit sa më të suksesshëm për fëmijët e tyre, duke i kujtuar që sakrifica e bërë për t’i mundësuar fëmijëve arsimim sa më cilësor, një ditë do të shpërblehet”, – nënvizoi Aliaj.

Prefekti u shpreh se “urimi më i veçantë është padyshim për ata që sot për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës, të cilët më këtë rast fillojnë një etapë të re të jetës së tyre, për çka ju urojmë suksese. Investimi në dije dhe arsim, është investimi më potencial për të ardhmen e Shqipërisë”.

“Dituria është e vetmja gjë në botë me vlerë, por pa çmim; e vetmja gjë që fitohet dhe nuk blihet. Ka shumë gjëra që presin për t’u mësuar, por shumë pak kohë për t’i mësuar, prandaj shfrytëzojeni secilin moment për të ndriçuar mendjen tuaj me dituri dhe, mbi të gjitha, mos harroni se ditët më të bukura janë ato në bankat shkollore”, – tha Aliaj.

/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com