Turizmi, industria dhe bujqësia kryesojnë me numrin më të lartë të të punësuarve në tremujorin e dytë të këtij viti.
INSTAT publikoi shifrat zyrtare të “Anketës Tremujore të Forcave të Punës”, ku citon se, punësimi pësoi rritje në sektorin e shërbimeve me 2,3%, në sektorin e industrisë me 1,5% dhe në sektorin e bujqësisë me 2,2%.
Sipas INSTAT në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 4,4% në sektorin e industrisë, 5,7% në sektorin e shërbimeve dhe 0,3% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,1%.
Në vitet e fundit, turizmi është kthyer në një prej sektorëve më të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë së vendit. I konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare, turizmi po përjeton një zhvillim radikal kohët e fundit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 683 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme ose 16% më shumë se një vit më parë.
Sot sektori i turizmit ka gjeneruar zhvillim ekonomik, punësim dhe mundësi të vetëpunësimit.
Investimet në vepra publike dhe sipërmarrje private bashkëkohore, rritën ndjeshëm numrin e të punësuarve dhe të të ardhurave familjare. Numri i përgjithshëm i vizitorëve të huaj ka shënuar një rritje të konsiderueshme në vitet e fundit, rreth 5 milionë turistë ose 10% më shumë turistë erdhën në vendin tonë, për periudhën janar-gusht 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Ndërsa investimet e huaja kryesisht në atë të çelikut apo sektorin minerar dhe politikat që ka ndërmarrë qeveria në mbështetje të bujqësisë, krahas rritjen së prodhimit dhe eksporteve, po gjenerojnë në vijimësi rritje të numrit të të punësuarve. /atsh