“Nga muaji Tetor do të hapë dyert spitali i ri i kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, një investim prej afro 9 milion eurosh, që do të sjellë pas shumë dekadash, standarde europiane për kirurgjinë shqiptare”, tha sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, prezantoi në një intervistë për ERTV, ambientet e këtij spitali, nga dhomat për çdo pacient pajisur me mjete jetike dhe kushte moderne të akomodimit, deri te 7 sallat e operacionit të pajisura me aparatura të teknologjisë së fundit.
“Spitali i ri i kirurgjisë ka një kapacitet prej 120 shtretërish dhe rreth 8000 ndërhyrje në vit, për t’i shërbyer 60 mijë pacientëve. Shtimi i kapaciteteve, infrastruktura dhe aparaturat e reja do të krijojnë mundësinë që në kirurgji tashmë të punohet me dy turne, për të ofruar më shpesh shërbimet e ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha ajo.
Në vijim Manastirliu tha se “Ky është një investim i munguar prej dekadash për kirurgjinë shqiptare. Spitali do të ofrojë shërbime terciare të cilësisë së lartë për ata pacientë që vuajnë nga patologji të vështira, do të rrisë ciëlsinë e shërbimit duke ofruar më shumë garanci. Ky spital i ri ofron 7 salla operacioni që janë të pajisura me teknologjinë më të sofistikuar. Nuk ka asgjë që ndryshon nga cilësia e pajisjeve dhe infrastrukturës që janë këtu, me ato të një spitali europian në vendet e BE-së”.
“Tashmë ka përfunduar instalimi i gazrave mjekësorë, janë vendosur aparaturat e nevojshme dhe mobilimi spitalor është në dispozicion. 8 shtretër do të jenë në dispozicion për akomodimin e pacientëve që parapërgatiten për të hyrë në operacion. Si kapacitet, pritet që numri i ndërhyrjeve që do të kryhen në vit të shkojë deri në 8000 mijë ndërhyrje që do kryhen me një infrastrukturë të re dhe mbi 60 mijë pacientë që vijnë edhe për mikrokirurgji apo shërbime të tjera”, shtoi Ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu theksoi se shërbimi i reanimacionit sipas standardeve të BE në këtë spital është një tjetër mjedis me rëndësi. Tashmë aty sigurohen edhe bokset e izolimit në rast se ka infeksion spitalor dhe një pacient duhet mbajtur në izolim.
Sipas Manastirliut, ky investim kompleton investimet e qeverisë shqiptare për kirurgjinë, veçanërisht pas programit për sterilizimin e instrumentave kirurgjikalë, i cili ka reduktuar ndjeshëm numrin e infeksioneve spitalore në vendin tonë.
Ministrja siguroi se një tjetër projekt me rëndësi që nis së shpejti në QSUT është rehabilitimi i spitalit pediatrik dhe i reanimacionit pediatrik, i cili po ashtu do të rrisë standardet e ofrimit të shërbimit për pacientët shqiptarë. /atsh