Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, theksoi se stina e re e politikës ka në qendër dy zhvillime shumë të rëndësishme, reformën zgjedhore dhe Integrimin në Bashkimin Europian.
Sipas Spiropalit, Partia Socialiste është shumë e hapur për dialog me opozitën brenda dhe jashtë Kuvendit, për të realizuar dhe adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sa i takon reformës zgjedhore.
Ministrja Spiropali gjatë një interviste televizive nënvizoi se opozita në Kuvend ka qenë më produktive se ajo jashtë Kuvendit. “Kemi një opozitë në Kuvend, që ka qenë produktive. Kujtoj këtu se për çështje madhore ka qenë pjesëmarrëse dhe ka votuar, kujtoj këtu ligje të domosdoshme për Reformën në Drejtësi, duke e bërë më produktive se opozita e mëparshme, pavarësisht nënqeshjeve të opozitës pa mandate”, – tha Spiropali.
“Në këtë situatë politike të saponisur kemi përpara reformën zgjedhore, që do të jetë dhe kryefjala e diskutimeve parlamentare. Detyra jonë është që të kalojmë një reformë me mirëkuptim me opozitën në Kuvend, për të adresuar problematikat që lidhen me gjetjet e OSBE/ODIHR-it, në komisionin e reformës zgjedhore, ku bashkëkryetare është edhe përfaqësuesja e opozitës, zonja Hajdari dhe ka një vend dhe për opozitën e rrugës në atë tryezë”, – tha më tej Spiropali.
“Çështja tjetër shumë e rëndësishme është përgjigja nga Këshilli i Europës për çeljen e negociatave, e cila lidhet ngushtësisht me Reformën në Drejtësi. Ne tashmë pasi kemi kryer të gjitha detyrat presim implementimin e Reformës në Drejtësi. Ngrehina është gati, tani mekanizmi duhet të vihet në punë”, – tha Spiropali.
Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, sipas Spiropalit, ishin një provë që opozita dështoi me turp në nismën e saj. “Ka qenë një situatë e ndryshme, zgjedhjet e 30 qershorit ishin ndryshe nga zgjedhjet e tjera. Ajo që ja dolëm të bëjmë është të realizojmë një palë zgjedhje, pavarësisht forcës e dhunës, dhe prandaj ishte një fitore për Shqipërinë, jo për PS. Shqipëria arriti të organizojë zgjedhje, të ketë qetësi atë ditë e të ketë mbështetjen e partnerëve tanë të rëndësishëm në ato zgjedhje. Ne, theksoi Spiropali, shpresojmë që opozita joparlamentare të reflektojë e të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, për t’u rifutur në sheshin e betejës elektorale”.
“Ne jemi të vendosur të respektojmë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm të depolitizojmë të gjithë procesin e administrimit të zgjedhjeve. Por opozita në rrugë ka shmangur çdo diskutim, duke dhënë argumente që nuk qëndrojnë”.
“Aspirata kombëtare për Integrim i përket Shqipërisë, jo mazhorancës apo opozitës. Jemi të gatshëm që për hir të kësaj aspirate të ulemi në tryezë, por jo të pranojmë ultimatum. Lulzim Basha humbje pas humbje vazhdon të këmbëngulë te qeveria teknike e ikja e Ramës, që u hodhën poshtë më 30 qershor, ku qytetarët shqiptarë e quajtën të dështuar këtë nismë. Ne e lexojmë drejt raportin e OSBE/ODIHR-it, prandaj duhet të ulemi me opozitën parlamentare e joparlamentare për t’i zgjidhur dhe përmirësuar standardet”, – tha Spiropali.
“Ne sa i takon Reformës Zgjedhore kemi dy synime kryesore: depolitizimin dhe votën e emigrantëve. Duhet të lëmë politikën e hurit dhe gurit, nuk i çoi askund krerët e vjetër të opozitës. Opozita ka dështuar me turp në aksionin e saj. Në u ktheftë në këtë rrugë, kjo është një humbje madhe për demokratët që duan një alternativë fituese”, – tha Spiropali.
E pyetur për rastin e Valdrin Pjetrit, Spiropali theksoi se shumë shpejt do të ketë një ligj që do rrisë kontrollin për kandidatët që do marrin pjesë në zgjedhje lokale apo qendrore. “Kandidati nuk zgjidhet vetëm nga kryetari i partisë, por nga e gjithë struktura drejtuese e saj. Partia nuk mund të bëjë hetim se çfarë ka bërë një person në moshën 20-vjeçare. Nuk është në tagrat e partisë, prandaj dhe Partia Socialiste do ketë një nismë ligjore për të përforcuar kontrollin mbi individët që zgjedhin të kandidojnë në zgjedhje qendrore apo lokale”, – tha Spiropali.
E pyetur për situatën e Presidentit, Ministrja Spiropali, nënvizoi se Presidenti Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët. “Komisioni hetimor do përpilojë raportin dhe argumentet e saj se përse duhet shkarkuar presidenti. Më tej ky raport votohet në seancë parlamentare dhe në fund është Gjykata Kushtetuese që jep fjalën e fundit për këtë çështje. Por për ne situata është e qartë, Presidenti Ilir Meta ka shkelur ligjin me të dyja këmbët”, – përfundoi Spiropali. /atsh