Ndërsa sezoni veror turistik tashmë është mbyllur, kartolina e buzëqeshjeve të të rinjve dhe të rejave të “Smile Albania 2”, do të mbetet kujtim jo vetëm për turistët e shumtë që përjetuan mikpritjen në pikat kufitare dhe vizitat e tyre në vend, por edhe për vetë ata.
Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje një përmbledhje të aktivitetit të “Smile Albania 2”në këtë sezon turistik, duke thënë se ata janë “buzëqeshja e Shqipërisë”
“Me buzëqeshjen e Shqipërisë përgjatë këtij sezoni turistik, ju uroj një të dielë të bukur”, tha kryeministri.
Gjatë vitit 2019, projekti i ri “Smile Albania” solli jo vetëm buzëqeshjen turistike por dhe punësimin e 500 të reja e të rinj që vinin nga bankat e universiteteve, në vazhdim të Paktit për Universitetin.
Të rinjtë e të rejat, ofruan përgjatë dy muajve mikpritje, buzëqeshje, informacion për turistët që vizituan vendin tonë, në 35 infopoint-e nga veriu në jug të Shqipërisë në çdo pikë kufitare, porte e aeroport, qendra qytetesh, plazhe e site kulturore e historike. /atsh