Një emigrant shqiptar në Suedi, pas një mesazhi drejtuar kryeministrit Edi Rama, zgjidhi problemin në lidhje me mosshërbimin nga ana e Ambasadës shqiptare në Stokholm.
“Po ju shkruaj nga Suedia, shtetas shqiptar jam, shkova në Ambasadën shqiptare këtu në në Stokholm për dëmtim pasaporte. Zero shërbim dhe njerëz të paedukatë”, i shkruan emigranti Kryeministrit.
Pasi iu zgjidh problemi, emigranti i rishkroi kryeministrit Rama. “Jam ai djali që të shqetësova në lidhje me problemin me pasaportën në Suedi. Falë teje jam kontaktuar direkt nga Ministria e Jashtme, pastaj jam kontaktuar me ambasadorin këtu në Suedi, dhe morëm një rrugëzgjidhje. Të kam 3 vota borxh”, shprehet emigranti.
Në komunikim me emigrantin në Suedi, kryeministri Rama i ktheu përgjigje duke u shprehur: “Nuk të pyeta për kë voton e as më ke borxh ndonjë votë! Rëndësi ka që mbarove punë”./atsh