Bashkia e Sarandës i bëri thirrje sot të gjithë pronarëve të automjeteve (me dhe pa targa), që gjenden të parkuara dhe të palëvizura për një kohë të gjatë në rrugët e qytetit, të bëjnë lëvizjen e tyre, brenda 15 ditësh nga marrja e njoftimit zyrtar.
Në një njoftim për shtyp bashkia sqaron se “në rast mosveprimi Policia Bashkiake bazuar në ligjin 8378, Neni 157, pika 5 e tij dhe e mbështetur nga Policia e Qarkullimit Rrugor, do të bëjë heqjen dhe çuarjen e tyre në pikën e grumbullimit”.
Bashkia i bën thirrje këtyre pronarëve të veprojnë për heqjen e tyre vullnetarisht, pasi prania e tyre në rrugë bëhet pengesë për shërbimin e pastrimit, për kryerje punimesh në rrugë dhe dëmton imazhin fizik të qytetit.
“Nëse nuk veproni në kohë, ju shkon më shtrenjtë, pasi tërheqja e automjetit tuaj jashtë afatit, do të bëhet kundrejt pagesës për transportin e kryer me karrotrec, së bashku me tarifën e parkimit që ka subjekti privat. Nuk mund të tolerohet më lënia e automjeteve në këtë mënyrë, që për ne konsiderohen të braktisur”, thekson bashkia.
Bashkia e Sarandës fton qytetarë të bëhen bashkëpunues dhe partnerë me bashkinë për një qytet që tregon dhe ofron qytetari./atsh