Loading...

Ruçi: Partizanët, këta kalorës të çlirimit e të lirisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar një letër përshëndetëse ish partizanëve të Brigadës XX Sulmuese, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj Brigade, ku shprehet se sot është shpirtërisht në Protopapë, Maliq, Korçë, Pogradec, Elbasan, Librazhd, Zvezdë, Qafë-Thanë, Përrenjas, Domozdovë, në grykat e Xhyrës dhe kudo ku kanë luftuar e fituar partizanët e Brigadës XX Sulmuese.

“Brigada XX u formua në Protopapë, më 9 shtator 1944, prej bashkimit të batalionit të famshëm “Tomorri”, me batalionet e tjera që vepronin në këto krahina, si “Reshit Çollaku”, “Hakmarrja” , “Fuat Babani” dhe “Skënder Çaçi”. Asaj iu bashkuan qindra vajza e djem të rinj nga Korça, Skrapari dhe Elbasani, të cilët formuan sëbashku këtë formacion partizan, të njohur për vitalitetin, trimërinë dhe heroizmin e pashoq. 1200 partizanët e Brigadës XX, siç shkruan historia e Luftës, nuk kanë në bilancin e tyre asnjë betejë të humbur”, është shprehur Ruçi.

“Vetëm një ditë pas krijimit, më 10 nëntor 1944, partizanët e Brigadës XX hynë në Librazhdin e çliruar dhe një javë më vonë, më 17 nëntor, në Elbasanin e çliruar. Populli i Elbasanit, Librazhdit dhe gjithë krahinave të tyre do tu jetë mirënjohës përjetë vajzave e djemve të kësaj Brigade, të cilët i çliruan ato nga okupatori nazi-fashist dhe bashkëpunëtorët e tyre vendas”, ka theksuar Ruçi.

“Brigada XX ishte pjesë e uraganit të fuqishëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, e cila çliroi Shqipërinë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe tradhtarët vendas. Ushtria e partizanëve shqiptarë luftoi denjësisht në krah të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ushtrisë së Kuqe, Ushtrisë së Britanisë së Madhe, të Francës dhe vendeve të tjera të koalicionit antifashist. Ishin partizanët shqiptarë, këta kalorës të çlirimit e të lirisë, që e vendosën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, në krah të forcave antifashiste e çlirimtare”, ka shtuar ai.

“Në këtë ditë të shënuar, është dita të kujtojmë se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe vlerat antifashiste nuk vjetërohen kurrë. Ato qëndrojnë në themel të lirisë, të përparimit, të kontributit tonë në NATO, për paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon e në botë, në themel të rrugëtimit europian të Shqipërisë”, shkruhet në letrën e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtuar përshëndetëse ish partizanëve të Brigadës XX./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com