Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë sot në kremtimin e 99-vjetorit të Luftës së Vlorës, ndërsa një kurorë në nderim të luftëtarëve të Luftës së Vlorës.
Në ceremonitë kremtuese morën pjesë pasardhës të veteranëve të Luftës së Vlorës, veteranë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe pasardhës të tyre, deputetë, drejtues të pushtetit vendor dhe personalitete të jetës politike e shoqërore të Vlorës, historianë e studiues etj.
Në fjalën e tij Ruçi tha se sot të gjithë shqiptarët patriotë do të dëshironin të ishin në Vlorë. “Jo vetëm për Luftën e Vlorës dhe rrezatimin e saj në historinë e Shqipërisë. Por për bukuritë që ajo ofron si skela e parë në Europë. Për trimërinë, mençurinë dhe urtësinë që e karakterizon. Për hijeshinë që rrezaton ndër të gjitha viset shqiptare. Për mësimet historike dhe aktuale që na ka dhënë dhe na jep të gjithëve”, tha Ruçi.
“Ky vit është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është viti i 75 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit nazifashistë e kolaboracionistët. 2019 është pragu i 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, i vitit kur shqiptarët treguan se nuk janë vetëm një komb luftëtarësh, por edhe një popull që e do dhe punon për ndërtimin e demokracisë”, tha ai.
Më tej, Ruçi shtoi se është një koincidencë domethënëse që fillimi i parlamentarizmit dhe lufta e Vlorës kanë ndodhur në të njëjtin vit.
“Të dyja këto ngjarje ishin prova të fuqishme të zhvillimit politik të shoqërisë shqiptare, të rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe të bashkimit në emër të sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë. Fitorja e Vlorës ishte vulosja e fitores së Lushnjës”, tha ai.
Gjithashtu, Ruçi tha se Në këtë vit të 75 vjetorit të çlirimit, populli i Vlorës e Labërisë, si gjithë populli shqiptar, është krenar për kontributin që dha gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Unë kam ndjekur e përshëndetur të gjitha ngjarjet e shënuara të Luftës Nacional-Çlirimtare në këtë 75 vjetor. Kam inkurajuar përpjekjet e Qeverisë, të Komisionit të posaçëm për 75 vjetorin e çlirimit dhe të institucioneve për kremtimin e kësaj ngjarjeje monumentale me nderimin që i takon. Përgëzoj përpjekjet e organizatës së veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve për përkujtimin dhe festimin e ngjarjeve kryesore të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ruajtjen e transmetimin e vlerave antifashiste.E vërteta e kësaj Lufte as mund të mohohet, as mund të errësohet. Asnjë kontribut tjetër nuk mund të sillte çlirimin e Shqipërisë pa luftën e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ishte lufta e Ushtrisë së partizanëve shqiptarë që e vendosi Shqipërinë në anën e duhur të historisë dhe në krahun e aleancës më progresiste të kohës”, tha ai./atsh