“Qershor 2020 është afati final i nxjerrjes së qeseve plastike nga qarkullimi, pas daljes së ligjit ‘Për ndalimin e hyrjes, prodhimit dhe përdorimit të qeseve plastike në Shqipëri’”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Rama tha se “me hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë për “Qeset Plastike” është shënuar një rezultat shumë pozitiv: 50% më pak prodhim të qeseve plastike”.
Po ashtu, Rama tha se “objektivi ynë është dhjetori 2020 si afati final i nxjerrjes së shisheve, gotave e pjatave plastike nga qarkullimi, pas daljes së të njëjtit ligj”.
“Është një objektiv shumë ambicioz, por Shqipëria Turistike që duam nuk mund të bashkëjetojë me qeset e me shishet plastike, prandaj do të vazhdojmë drejt për të realizuar objektivin, duke hyrë në një proces intensiv konsultimi publik”, tha Rama./atsh