Policia Kufitare u vjen në ndihmë 4 të rinjve nga Vlora, të cilët rrezikuan jetën në det, me një mjet lundrues.
Katër të rinjtë kishin dalë në Karaburun, me një mjet lundrues me qëllim për ta testuar nga ana mekanike, por gomonia ka pësuar defekt në motor, duke rrezikuar jetën e tyre. Dy prej tyre kanë mundur të dalin me not në breg të gadishullit dhe kanë kërkuar ndihmë për dy shokët e tjerë, që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë shkuar në kohë në drejtim të adresës së dhënë dhe pas kërkimeve në det, në vendin e quajtur “Gjiri i Varkave”, kanë gjetur mjetin lundrues tip gomone, së bashku me shtetasit, R.M. dhe E.A, të cilët ndodheshin në bordin e mjetit lundrues. Shërbimet e Policisë Kufitare kontaktuan edhe me dy shtetasit e tjerë K.M dhe A.M, të cilët telefonuan për ndihmën e shokëve.
Katër të rinjtë janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë për në Triport, së bashku me mjetin e tyre lundrues. Katër shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore. /atsh