Një investim i Qeverisë shqiptare, si një premtim i mbajtur, në kuadër të Paktit për Universitetin, është rikonstruksioni i Universitetit të Arteve në Tiranë. Studentët e këtij Universitetit do të kenë shumë shpejt ambiente të reja mësimore dhe kreative.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti së bashku me rektorin Kastriot Çaushi kanë qenë sot për të ndjekur nga afër punimet në këtë objekt.
“Ndërtesa historike, monument kulture, po i nënshtrohet një rikonstruksioni total të ambienteve të brendshme, që konsiston në sisteme të reja elektrike, hidraulike dhe ngrohje, si dhe punime të restaurimit të fasadës. Do konsolidohen kornizat e dritareve dhe do ndërrohen ato ekzistuese, të cilat janë tepër të degraduara, në bazë të modelit origjinal. Ka filluar procesi i izolimit të soletës dhe gjithashtu instalimet hidraulike dhe elektrike. Shpresojmë që në semestrin e dytë të këtij viti akademik, studentët të hyjnë në ambiente të reja, më komode dhe motivuese për krijimtarinë e tyre artistike”, theksoi Margariti./atsh