Loading...

Nuk gjente medikamentin për hepatitin B, institucionet shëndetësore i përgjigjen në kohë qytetarit

Një qytetar nga Gramshi i cili vuante nga hepatiti B, por nuk mund të merrte kurën e nevojshme pasi nuk ishte e disponueshme në spitalin e Elbasanit, zgjodhi t’i drejtohej kryeministrit Edi Rama për një zgjidhje.

Kreu i qeverisë publikoi sot mesazhet e shkëmbyera me një qytetar nga Gramshi, i cili ankohej se nuk mund të gjente pranë shërbimit spitalor në Elbasan, medikamentin e domosdoshëm për shëndetin e babait të tij.

“Kryeministër, im atë vuan nga hepatiti B. Merr ilacin për sëmundjen e tij (ternavir), që është një ilaç që nuk gjendet në farmaci, pasi është për shërbim spitalor dhe e merr me rimbursim. Para 5 ditësh ishte në Elbasan (jemi nga Gramshi) për ta marrë, por nuk i dhanë pasi ka 2 muaj që është mungesë. (Kujtoj që ai merr një kokërr çdo ditë dhe nëse nuk e merr situata nuk është në favor). Mjeku në Elbasan i kishte thënë që bëheni problem lart që ta sjellin, se ne kemi bërë kërkesën dhe nuk po e sjellin. Në të gjithë Tiranën gjeta vetëm në një farmaci dhe 30 kokrra kushtonin 140 euro (ai aq ka të gjithë pensionin). U interesova në Itali dhe atje ishte vetëm për shërbim spitalor dhe 250 euro. Të lutem si zgjidhet ky problem dhe sa duhet të presim. Nëse është në procedurë tenderimi kush kompani do ta fusë në Shqipëri? Ju falënderoj për çfarë po bëni, natyrisht kam edhe rezerva por edhe Roma nuk u bë në një ditë”, shkruan qytetari.

Pas ankesës te kryeministri Rama, ai u kontaktua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, duke marrë zgjidhje për problemin.

“Përshëndetje zoti kryeministër. Pas ankesës te ju kam pasur telefonata nga Ministrja Ogerta Manastirliu, nga Fondi dhe nga Drejtori i QSUT-së. Im atë u paraqit sot në Elbasan dhe mori ilaçin që i duhej. Na informuan se kjo situatë është kalimtare pasi ka qenë mungesë tregu jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin. Situata do të normalizohet pas datës 20 dhe të gjithë personat që kanë të njëjtin problem do ta marrin ilaçin në kohë. Ju faleminerit juve personalisht, Ogertën për gatishmërinë dhe shpejtësinë e vazhdimit të procedurave si edhe gjithë stafin që është angazhuar për zgjidhjen e problemit tim. Shëndet dhe suksese për ju që gjeni kohë të merreni me raste specifike përtej punës suaj të përditshme. Faleminderit”, shkruan qytetari.

“Detyrë dhe kënaqësi”, u shpreh Kryeministri Rama duke uruar “të shkuara babait dhe qofshi mirë të gjithë familjarisht”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com