Loading...

Nis sesioni i ri parlamentar, Ruçi: Kuvendi funksional dhe me kuorum kushtetues

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi deklaroi sot se, “Kuvendi mbylli sesionin e kaluar dhe fillon këtë sesion parlamentar si një institucion funksional me një kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor”.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, Ruçi tha se “sesioni që mbyllëm nuk ishte i lehtë, por me gjithë vështirësitë që u shkaktuan nga lënia e mandateve të deputetëve të opozitës, kjo nuk cenoi funksionimin e sistemit tonë politik, produktivitetin dhe rezultatet e Kuvendit”.

“Rreth 70% e mandateve, ose 40 nga 58 mandate u zëvendësuan nga deputetët e rinj të opozitës. Kjo ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi ushtroi me intensitet funksionin kryesor, atë legjislativ”, – tha Ruçi.

Sipas tij, “gjatë sesionit të kaluar u depozituan 64 projektligje dhe u miratuan 57 gjithsej, ose 2 më shumë sesa në të njëjtin sesion të vitit të kaluar”.

“U miratuan 76 vendime, u miratuan 5 ligje me 3/5, ndërkohë që vitin e shkuar me 3/5 nuk u votua asnjë projektligj; u miratuan 28 ligje me konsensusin e opozitës, ose 21 ligje më shumë sesa periudha janar-korrik 2018. Deputetët morën 19 nisma ligjore ose 8 më shumë se viti i kaluar, njëra prej të cilave kishte të bënte me ndryshimet në Kodin Penal, deputetët e opozitës kërkuan 6 interpelanca, ose 2 më shumë se viti i kaluar prej të cilave u zhvilluan 5”, – tha Ruçi.

Ai tha se, “Kuvendi përballoi me dinjitet sfida të jashtëzakonshme dhe unike dhe demokracia liberale u provua si demokraci kushtetuese si asnjëherë në historinë e pluralizmit dhe Kushtetuta u rezistoi aventurave”.

Po ashtu, Ruçi vlerësoi Reformën në Drejtësi si meritë ekskluzive të Kuvendit të Shqipërisë.

Ruçi shpalli edhe objektivat për sesionin e ri parlamentar duke theksuar se të gjithë presin negociatat, ndërsa dora e shumicës është e shtrirë për opozitën jashtë parlamentit për reformën zgjedhore.

“Rekomandimi i komisionit për çeljen e negociatave është produkt i arritjeve, në mbledhjen e këshillit në tetor shkojmë me sigurinë e plotësimit të këtyre detyrave. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është çelja e negociatave. Ne duhet ta përdorim këtë fillim sesioni për të kompensuar atë që nuk bëmë mirë në sesionin e kaluar”, – tha ai.

Ruçi theksoi se “prioriteti i parë do të jetë përmbyllja e reformës zgjedhore”. “Do të jetë një produkt konsensual i Kuvendit duke përfshirë edhe opozitën jashtëparlamentare. Dora e shtrirë e Kuvendit nuk është mëshirë. Mbrojtja e Kushtetutës është garancia e Shqipërisë së nesërme. Reforma në Drejtësi do të vijojë duke filluar me ngritjen e institucionet e reja. Gjykata Kushtetuese dhe ILD do të bëhen funksionale shumë shpejt”, – tha Ruçi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com