Dita e nesërme për nxënësit e shkollave të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit do të jetë ditë pushimi.
Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini në një konferencë për shtyp.
Pushim do ta kenë po ashtu edhe “prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjeçare të cilët punojnë në administratë shtetërore. Situata në terren paraqitet drejt normalizimit, por në mënyrë që familjet e prekura të kalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të prekura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratën publike, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë dhe të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, – nënvizoi Shahini.
Ministrja Shahini u shpreh se “nga takimet e shumta që kemi patur me qytetarë të prekur, jo vetëm ne stafi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por edhe kolegët e mi ministra, deputetët, stafet e bashkive, duket se qytetarët nuk janë plotësisht gati emocionalisht që të vijojnë ditën e zakonshme të punës dhe të shkollës nesër”.
Sipas saj, është plotësisht e mirëkuptueshme që një fatkeqësi natyrore si ajo e djeshmja të shkaktojë ankth dhe stres tek familjet e prekura.
“Duke marrë këtë parasysh dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e disa psikologëve që na kanë shkruar edhe dje edhe sot kemi vendosur që dita e nesërme për të gjithë nxënësit e Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit të jetë ditë pushimi”, – sqaroi Shahini.
Ministrja u shpreh se “ne si ministri e Arsimit na takon më shumë se të gjitha institucionet e tjera mirinformimi i nxënësve mbi fatkeqësitë natyrore, si dhe përgatitjet që duhet të bëjmë për tu shmangur lëndimeve që mund të vijnë nga fatkeqësitë tona”.
“Ne në kurrikulat tona i trajtojmë këto tema, por duhet ti mëshojmë më fort kësaj pike, sepse nga ajo që pamë pjesa kryesore e lëndimeve trupore që kanë pësuar qytetarët dje ishin lëndime të shkaktuara nga paniku”, – tha Shahini.
Shahini theksoi se vetëm në 2 shkolla kanë pësuar dëmtime serioze, e ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të fasadave, por tashmë gjithçka është në kontroll.
“Kam qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me të gjithë drejtuesit e të gjithë shkollave dhe që dje nuk kemi nxënës dhe mësues të lënduar. E përqendruam inspektimin në zonat më të prekura nga tërmeti, sot kemi vetëm 2 shkolla që janë raportuar në gjendje jo të sigurta, një në Qendër Bërxull që do sillen në shkollën Qendër, një tjetër në periferi të Tiranës. Në total janë 98 shkolla që kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, pjesa më e madhe është pastruar”, – tha Shahini./atsh