Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi sot se qeveria gjermane ka dhënë një rekomandim pozitiv lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç, Merkel u pyet nga mediet nëse ka bindur Francën dhe Holandën lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësim me BE për të dyja vendet.
“Unë nuk mund të flas për shtetet e tjera. Vendet do të vendosin vetë. Para së gjithash, ne duhet të dalim me qëndrimin e Gjermanisë. Ndërkohë bisedimet me Bundestag-un gjerman po vazhdojnë, pasi në Gjermani është Bundestag-u që duhet t’u hapë dritën jeshile fillimit të negociatave të anëtarësimit”, – deklaroi Merkel.
Kancelarja gjermane theksoi se “Qeveria federale ka dhënë rekomandime pozitive për sa i përket aspekteve të ndryshme në lidhje me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por unë nuk mund të parashikoj qëndrimin e Bundestag-ut gjerman. Por shpresoj se do ta marrin një vendim shumë shpejt dhe në kohën e duhur”. /atsh