Loading...

Ndahet nga jeta Gjeneral Rahman Parllaku

Gjenerali Rrahman Parllaku, u nda nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Gjeneral Parllakut, të cilit i akordoi para disa kohësh edhe titullin “Nderi i Kombit”.

“Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandantit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë”, është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

“Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve”, ka theksuar Meta.

“Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore”, ka shtuar Meta.

“Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh. Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar”, është shprehur presidenti Meta.

Edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gjeneral Rrahman Parllakut.

“Ish-drejtuesi i formacioneve partizane në kohën e Luftës dhe gjenerali në paqe, Rrahman Parllaku ka ndërruar jetë. Veç të tjerash ishte një mik i tim eti, i cili nuk e hiqte nga goja edhe kur ai ishte në burg. Edhe për këtë arsye sa herë e takoja më nxirrte mallin e tim eti që ndërroi jetë përpara tij. Dhimbja sot për gjeneral Parllakun ka shumë kuptime. Një partizan më pak dhe një kujtim më shumë. Të qoftë dheu i lehtë gjeneral”, është shprehur ministri Majko./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com