Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur situatën e qarkullimit në akset kombëtare të vendit në kushtet kur mbrëmjen e së hënës ka pasur reshje të dendura shiu me stuhi dhe erë të fortë.
Sipas ARRSH-së, në Rajonin Verior të vendit, ka pasur reshje në të gjithë territorin, po pa shkaktuar probleme në qarkullim. Të gjithë specialistët dhe kontraktorët janë në terren në gatishmëri për çdo situatë.
Në Rajonin Qendror ka pasur reshje të shumta gjatë gjithë natës. Në segmentet e zonës së Dajtit nga reshjet ka rënie gurësh e dherash është punuar për pastrimin e tyre.
Rrugët dytësore dhe segmentet e Kamzës kanë pasur disa vështirësi në qarkullim (te nënkalimi i City Park). Tani situata është e normalizuar. Grupet e punës janë përqendruar në Bubq – Ishëm. Në zonën e Ibës ka pasur rënie të dendura shiu kontraktori ka punuar për stabilizimin e situatës.
Në segmentet rrugore të zonës se Belshit, si rezultat i shirave të dendur në disa vende ka rënie gurësh. Kontraktori po punon për pastrimin e plotë të rrugës.
Në të gjitha akset e këtij rajoni qarkullimi kryhet normalisht.
Në Rajonin Jugor, ka pasur reshje të shumta sidomos në qarkun e Gjirokastrës.
Në Dragot dhe pranë Ujit të ftohtë ka pasur vërshim ujërash dhe dherash, kompania e mirëmbajtjes ka punuar gjatë natës duke kthyer qarkullimin normal.
Aktualisht në Rajonin Jugor të gjitha akset janë me qarkullim normal.
Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë të përkeqësuar të motit.
ARRSH i bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes, të ulin shpejtësinë të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e policisë rrugore./atsh