Loading...

Meta, i bindur se Venecia i jep të drejtë

“Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka qenë mbrojtës i Kushtetutës dhe parimeve të saj”, deklaroi Meta sot pasdite në një konferencë të posaçme për mediet, ndërsa theksoi se do të bashkëpunojë me Komisionin e Venecias.

Në vijim, Meta falënderoi Kuvendin e Shqipërisë për këtë respekt dhe besim të madh që tregon ndaj Komisionit të Venecias ndërsa bëri të ditur se bashkëpunimi i Presidentit të Republikës me Komisionin e Venecias do të jetë i shkëlqyer dhe transparent.

“Në respekt të punës që ata kanë nisur dhe do duhet të bëjnë deri më 11 tetor, iu kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi i Shqipërisë u ka drejtuar lidhur me cilësitë e Presidentit të Republikës, i cili është i qartë dhe analitik dhe i shoqëruar me dokumente. Ky dokument do të jetë publik në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe do jetë i hapur për kontribute jo vetëm për transparencë, por edhe për t’u pasuruar me vërejtje, ide nga juristë vendas dhe ndërkombëtarë sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme dhe një casus në fushën e së drejtës publike dhe do jetë edhe një çështje e rëndësishme për të ardhmen dhe do diskutohet edhe në të drejtën ndërkombëtare”, – tha ai.

Po ashtu Meta theksoi se gjithçka do jetë në dispozicion të opinionit publik të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtarë ku vendi ynë është i anëtarësuar dhe ka detyrime për të përmbushur.

“Kjo është një sfidë që unë e mirëpres. Jam shprehur të jem i hapur edhe më 11 tetor që të jem i hapur për pyetje më 11 tetor nga Komisionit i Venecias. Presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë shkelje, por ka qenë mbrojtës i Kushtetutës dhe parimeve të saj. Çdo datë për të vendosur një datë për të vendosur një datë propagande, është veprim që synon të shmangë datën më të rëndësishme atë të 18 tetorit. Presidenti do të shkojë në 11 tetor tek Komisioni i Venecias, por ju merruni më shumë për 18 tetorin, çfarë do bëhet për Shqipërinë”, – tha Meta.

Presidenti Meta deklaroi se në Shqipëri janë shkelur parimet e Komisionit të Venecias, duke sulmuar sërish Reformën në Drejtësi.

“Jam këtu për të dhënë përgjigje përtej objektit të punës së Komisionit të Venecias. Për komisionin e Venecias unë kam respektin më të madh. Nuk janë diplomatë që flasin pa përgjegjësi se do ikin nesër dhe do vazhdojnë punën e tyre. Ata janë një referencë edhe për vendet e tjera. Ndaj ka bërë shumë mirë Kuvendi që e ka ftuar. Në vitin 1998 kushtetutën e bëmë me Komisionin e Venecias. Ajo u votua. Pastaj u ndryshua brenda natës dhe nuk u pyet as Venecia as qytetarët, e duartrokitën disa ambasadorë. Kjo situatë është edhe shprehje e një krize kushtetuese institucionale të vendit. Një nga arsyet pse jemi këtu është se janë shkelur rekomandimet e Venecias për Prokurorinë e Përgjithshëm dhe për Gjykatën Kushtetuese. Prandaj duhet t’i kishim dëgjuar ata”, – tha Meta.

Presidenti Ilir Meta pranoi se me caktimin e datës së re të zgjedhjeve ka shkelur vetëm Kodin Zgjedhor duke deklaruar se kjo është tërësisht e parëndësishme.

“Dekreti nga pikëpamja kushtetuese i takon vetëm presidentit të Republikës. Komisioni i Venecias është një nga kushtetutëbërësit. Ndodh një situatë e papranueshme. Shpikim një gjë dhe e shpërndajmë kudo. Të jeni të qetë dhe të bindur se Presidenti ka respektuar Kushtetutën në mënyrë më perfekte. Vetëm në tejkalimin me dy ose tre muaj në Kod Zgjedhor, por jo në Kushtetutë, por kjo është tërësisht e parëndësishme në lidhje me të drejtën për të zgjedhur. Këtë të drejtë e ka përcaktuar Gjykata e Strasburgut. Nëse i çon qytetarit vetëm një kandidat nuk kemi zgjedhje por votim. Në këto drejtime presidenti ka mbrojtur kushtetutën duke parandaluar që antagonizmi të kalojë në pasoja të paparashikueshme”, – tha Meta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com