Loading...

Mbi 51 mijë adresime në platformën e bashkëqeverisjes, hapet rubrikë e re për biznesin

Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiqeduam.al ka kapërcyer numrin e 51 mijë adresimeve, ndërsa së fundi është hapur edhe rubrika e veçantë për biznesin, që i vjen në ndihmë biznesi të ndershëm.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama tha se “adresimet janë të natyrave të ndryshme”.

“Ankesat më së shumti janë për nivelin vendor dhe qendror, por edhe nga studentët që janë interesuar për Paktin për Universitetin. Janë jo vetëm pyetje por dhe sugjerime dhe ide”, tha Rama.

Duke folur për rubrikën e posaçme për biznesin, Kryeministri theksoi se “kjo do të krijojë një akses të shpejtë në qeveri për çdo problem që biznesi has në qasje me administratën dhe për çdo çështje që mbetet pezull në punën e tyre”.

“Dua t’i ftoj të gjithë ata që merren me biznesin që të shkarkojnë aplikacionin shqiperiaqeduam.al dhe të mos humbasin kohë fare duke pritur që një zgjidhje e vonuar t’u vijë përmes rrugësh të vjetra, fatkeqësisht tradicionale, përmes rryshfetit, mikut e me radhë, por të harxhojnë ato 2-3 minuta dhe menjëherë do të kenë në krah ministrin përkatës, autoritetin përkatës dhe do të gjendet zgjidhje në kohë reale”, tha Rama.

Por sipas tij, “duke iu drejtuar platformës ata japin një kontribut të madh pasi në këtë mënyrë do të evidentohen jo vetëm aspekte problematike të funksionimit të administratës, por edhe individë problematikë që bëhen bashkë për vonesa të pajustifikuara dhe të pazgjidhura”.

Rama shprehu besimin se përfshirja e rubrikës së posaçme për biznesin në platformën e bashkëqeverisjes është një dritare e re e rëndësishme për të fuqizuar partneritetin mes qeverisë dhe çdo biznesi të ndershëm.

“Sidomos në këtë fazë ku jemi në një përpjekje të madhe kundër informalitetit dhe kur biznesi i ndershëm që është edhe shumica e biznesit, kërcënohet vijimësisht edhe nga konkurrenca e pandershme e atyre që u shmangen ligjit dhe bëjnë evazion”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com