Loading...

Librat falas/ Në 2017 përfitonin 86 mijë nxënës, këtë vit numri shkon mbi 220 mijë

Ministria e Arsimit çdo vit ka rritur numrin e përfituesve të librave falas, ndërsa këtë vit kësaj skeme i janë shtuar edhe nxënësit e klasave të pesta në të gjithë vendin.

Kështu është shprehur ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini duke theksuar se në vitin 2017-të numri i përfituesve ishte rreth 86 mijë ndërsa për këtë vit shkollor, shkon mbi 220 mijë numri i përfituesve.

“Teksa në vitin 2017-të numri i përfituesve ishte rreth 86 mijë dhe në 2018-tën rreth 180 mijë, për vitin e ri shkollor 2019-2020 numri total i përfituesve shkon mbi 220 mijë nga të cilët 155 mijë janë nxënës nga klasa e 1-5 dhe rreth 70 mijë të tjerë nga klasa e 6-12 të cilët janë pjesë e 16 kategorive të veçanta si familje në nevojë; me aftësi të kufizuara, fëmijë me statuse sociale te caktuara, viktima të trafikut, minoritarë etj”, -shprehet Shahini.

Ndërsa fondi i mbulimit të skemës së librave falas për këtë vit është 600 milionë lekë nga buxheti i shtetit, 80% e librave të vjetshëm kanë rezultuar efektiv dhe do të ripërdoren edhe vitin e ri shkollor. Pjesa tjetër prej 20% do të mbulohet nga një fond i posaçëm i MASR.

Ndër të tjera, nga ministria e Arsimit cilësohet se vetëm tekstet e klasës së parë dhe fletoret e punës do të jenë krejtësisht të reja, ndërsa klasat e tjera do të marrin tekstet e përdorura të një viti më parë të cilat janë në gjendje shumë të mirë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com